
KKTU u hap rrugë ndërtimeve edhe në pemëtore e ullishte pa pemë
KKTU miratoi një vendim të ri për evidentimin në terren të pemëtoreve dhe ullishteve që përfshihen në projektet e ndërtimit.
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) ka miratuar një vendim të ri që përcakton procedurat e detajuara për evidentimin në terren të pasurive me zë kadastral “pemëtore” ose “ullishte”, kur këto përfshihen në projekt-propozime për leje zhvillimi apo ndërtimi. Vendimi Nr. 01, datë 25.08.2025, u hap praktikisht rrugë ndërtimeve në pemëtore dhe ullishte, kur këto janë pa pemë dhe prodhim.
Dokumentacioni i detyrueshëm
Subjektet zhvilluese që paraqesin aplikime për leje mbi pasuri të tilla, por ku në terren nuk gjenden më kultura drufrutore ose ullinj, janë të detyruar të dorëzojnë pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZhT), Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, dokumentacionin vijues:
-Procesverbal i gjendjes faktike, i shoqëruar me foto, i mbajtur nga topografi dhe agronomi, që konfirmojnë përputhjen me dokumentin e pronësisë dhe ekzistencën ose jo të kulturave drufrutore apo ullinjve. Procesverbali nënshkruhet gjithashtu nga pronari i pasurisë ose përfaqësuesi i zhvilluesit.
-Deklaratë noteriale e përbashkët midis zhvilluesit dhe ekspertit hartues të procesverbalit, me përgjegjësi të plotë civile dhe penale për vërtetësinë e dokumentacionit.
Afatet dhe procedurat e verifikimit
Vendimi përcakton qartë afatet dhe organet përgjegjëse për verifikimin e gjendjes faktike, të ndara sipas sipërfaqes së pasurisë dhe kulturave:
Për sipërfaqe deri në 0.1 ha (pemëtore/drufrutore)
-Verifikimi kryhet nga specialisti agronom pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore brenda 5 ditëve pune.
-Nëse nuk ka përgjigje brenda afatit, procedura kalon te specialisti agronom pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB).
Për sipërfaqe mbi 0.1 ha (pemëtore/drufrutore)
-Verifikimi kryhet njëkohësisht nga specialisti agronom i njësisë vendore dhe ai i AREB, brenda 5 ditëve pune.
-Nëse njësia vendore nuk përgjigjet, verifikimi bëhet vetëm nga AREB.
Për sipërfaqe deri në 0.1 ha (ullinj)
-Verifikimi kryhet nga specialisti agronom i njësisë vendore dhe ai i AREB, brenda 5 ditëve pune.
-Në rast mosreagimi të njësisë vendore, përgjegjësia kalon te AREB.
Për sipërfaqe mbi 0.1 ha (ullinj)
-Verifikimi kryhet nga specialisti i AREB dhe specialisti përkatës i MBZHR, brenda 5 ditëve pune.
Procedura pas verifikimit
Pasi të jetë kryer konfirmimi nga autoritetet përgjegjëse, Sekretariati Teknik i KKTU mund të vijojë me shqyrtimin e procedurave për dhënien e lejes së zhvillimit apo ndërtimit. Një kopje e këtij konfirmimi depozitohet gjithashtu pranë Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Zbatimi i vendimit
Zbatimi i këtij vendimi ngarkohet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas miratimit nga KKTU. /ekofin.al
Më të lexuarat









